nga Epistolae in Tenebris

Moikom Zeqo


Letra e tretë

O bota e dyzuar nga unë! Bukuri të parrëfyeshme!
O sekret i lëvizjes së viteve, ortopedi sëprapshi
E moshës, fëmini! S'jam veç detar qiellor
Me thinja kometash e gjak elektrik, - i ngrij
Këto shira e i bëj xhama tek dhoma e vetmisë.
Dallëndyshet shpupuriten mbi det
Nga duart e padurueshme të Zotit, -
Janë flokët e mi! Kush del nga labirintet
E fshehtë të Dashurisë? Dielli që pikturoi Van Gogu
S'është Dielli, që po shndrit tani! Shiu pikon
Mbi statujat nudo, meshkujt dhe femrat e mermertë
Tani urinojnë, të mahnitur se bëjnë
Një akt të mrekullueshëm
Të të gjallëve! Në Saharën e urrejtjes s'ka
Asnjë krua! M'u shfaq muzgu në prag,
Këpucë e purpurt perandori,
Këpuca është, por perandori jo!
Shqiponja e bën një heraldikë shekujsh
Në misterin e ajrit. Pse shpesh jam bosh
Si amëshimi pa mijëvjeçarë? Pse Shehrazade
Mbijetoi çdo mëngjes, duke thënë
Gënjeshtrën Art? Pse ora është absurdi
I kurdisur rregullisht? Pse unë e përtyp
Bukën e metaforave e në vënd të stomakut
E kam një Zodiak të uritur? Pse brënda
Çdo statuje është mumja ime e shenjtë?
Pse vaginat e femrave
Janë me lesh ëngjëlli?
Pse ky yll i tharë më thërmohet në gishta
Si krahët e një fluture? Pse valët janë
Gurë lëvizës prej qelqi të detit?
Pse mizat që e çmendnin Migjenin
Zeusi i shndroi
Në shqiponja të Kaukazit?
Pse udhëtojnë hapat e mi
E trupi im s'lëviz?
Pse proverbat janë përralla të vogla?
Pse Hiçi është takikardia ime?
Pse fjalët kanë mbaresa gjarpërore
Si të ishin Kimera? Pse stina
Ka zbukurime si një bordell global?
Pse herojtë tani janë refugjatë klounë?
Pse kaq kohë jemi të veçuar
Si uji dhe vaji në një gotë gjeneze?
Pse ky dramacitet metafizik
Tretet në erë? Pse u praruan gjethet
Nga gjaku surrealist i Hënës?
Pse është çmendur deti
Nga Erosi i plagosur i këtij ylli mbi të?
Pse nuk dua të jem një Jahova
Por një lulekuqe reale?
Pse retë – Guliverë pasionesh
Vdesin e bëhen
Skelete rrufesh? Pse i vjedh për ty e dashur
Bizhuteritë e Parajsës? Pse portretet
E pikturuar janë edhe epitafe?
Pse sendet na huazojnë
Pasosmërinë monumentale? Pse ekstaza
Na mbart në aksidente si një barelë autoambulance?
Pse universi është folja "me qenë"
Por pa kohë të ardhme? Pse akullnajat
Ëndërrojnë kopështet e metapsikozës?
Pse vjen nga shkretëtira – poeti
Si më i fundmi i zotave të dikurshëm?
Pse në pezhishkën e Binjakëve yjorë
Përpëlitet i ngecur shpirti im? Pse vetë Zoti, Zoti
S'më përshtatet si rroba, që e provoj në trup
Dhe më rri e vogël? Pse njerëzit kanë shtangur
Me motorët e bllokuar të trurit?
Pse ky shkëmb është Sirenë Vajtimi
Në stelën atike të librave të mi?
Pse ca princa foshnje kërkojnë
Shpirtin e mëngjesit? Pse në eshtrat e njerëzimit
Është palca e kafshës?
Pse të tjerët tek plagët e mia
Mbushin gotat
E eukaristise të shekujve?
Pse dera e mbyllur është si murgu,
Që s'pranon të rrëfehet, as të flasë?
Pse dorëshkrimet m'i lexojnë
Veç shenjtorët e vdekur?
Pse? Pse? Gris faqet e Librit të Gjenezës,
I bëj shuk, i hedh përdhe –
Zogj të ngordhur
Pa asnjë shpëtim!





Letra e pestë

Pranë teje
Dhjetë centimetra
Më ndajnë nga Përjetësia.
Pse sa herë që zgjohem
Përpara kam Hiçin?
Pse haluçinacionet
I quajmë Histori?
Njeriu i vdekur është anije e fundosur
Që s'e ngre askush më mbi det.
Pse skulptorët e erës
Paraqesin shtrëngatat përmendore
Për të na përkujtuar vdekjen?
Pse imazhi yt
Është ethja
E shpirtit tim?
Pse vdekja është më pak
Se një fishekzjarr?
Jam në pritje njëmijë shekuj
Veç për një fjalë mrekullie!
Do ta bleroja Hënën
Për të kullotur aty
Kuajt e Swiftit!
Ja çeli një syth agavie
Si britma
E gruas kur lind.
O, boshllëku i përshkuar nga ironitë
Si ujqit polarë në xhungël! 





Letra e tetë

Trupat e etërve kanë mbetur nën tokë
Po fytyrat i kanë fshehur në yje
Tri Magët arritën në një Betlehem tjetër
Me helmeta nazistësh.
Pelerinat e tyre
Janë prej holokausti
Dhe kredish bankare.
Rreth kafkës së Hënës
Kërcejnë kanibalët
E kompjutrave.
Retorikat janë anije
Që s'i mbajnë më ngarkesat.
Kuptimet shpërthejnë
Bastijat e fjalëve.
Ja, ky zambak tigror
Është gati të më shqyejë!
Çmënduni kabalistë të thinjur
Unë tani s'i dua më librat
As metafizikën shterpë
E jam krejtësisht u thjeshtë
I çveshur
Pa asnjë mister!
Pra më i vërtete
Se kurrë!