nga Hapësira Negative

Luljeta Lleshanaku

Qyteti i mollëve

Hija e gruas shtatzënë –
një varg kodrinash
në horizont.

Për muaj me radhë,
ajo e mbajti të fshehtë shtatzaninë
në të njejtën mënyrë se fëmijët e eksodit
fshehin lodrat e preferuara
midis trikove të leshta dhe bukës
kur u është kërkuar
të mos marrin asgjë veç rrobave në trup.

Një cigan me djalin e vogël
shfaqet nga hiçi
dhe ndalet para këmbëve të saj.
Në duart e tij
fizarmonika
hap flatrat si shqiponja drejt presë
duke zbuluar gjoksin e saj të bardhë e pushtor.

Mbi kokën e djalit është vendosur një mollë
si mbi të gjitha kokat e fëmijëve në qytezë,
mollë gjysmë të kalbura,
në pritje të testit të atësisë.

Dhe baballarët
e humbin forcën
para se të bëjnë gjuajtjen e vetme me shigjetë.

Të gjithë rriten dhe plaken në të njëjtën kohë
krasiten nga e njëjta dorë kopshtari.
Brezi i mesëm, nuk ekziston.
Ata emigrojnë
dhe kur kthehen,
kanë flokë gri dhe ndërtojnë nga një shtëpi të madhe gri
ku do të japin të fundit frymë.

Por dimri është gjithmonë një dimër i mirë për mollët.
Mollë gjithandej; mollët nuk kanë kujtesë
ndërsa,
si në Gjenezë,
vazhdojnë të luajnë lojën e joshjes,
këtu, ku nuk ka parajsë për të humbur.

Indiferente, gratë hapin dritaret
dhe e lënë natën të dalë
sikur zgjidhin qentë
në rrugën që kundërmon erë mollësh të kalbura
apo kedre.





Shkallët

Im atë ishte i fiksuar pas shkallëve;
gjithë jetën prish një palë shkallë e ndërto një tjetër,
herë nga brenda e herë nga jashtë,
pa e gjetur kurrë mënyrën e përkryer
për t’u ngjitur lart.

Unë gjithashtu.
Prej atje lart ka tjetër pamje: rrugët janë të forta litarë;
kopështet e fshehur pas shtëpive si kafshime sensuale në zverk,
dhe një pluhur kozmik fsheh rrotullimin e dyfishtë të kalimtarëve,
rreth një ylli dhe rreth vetes. Kurse ai trau i hekurudhës me shirita të verdhë
               dhe të zi,
nuk është nepërka që të ngjeth mishin . . .

Sa herë që zgjodha shkallët e shpejta, ashensorin
ngeca midis dy kateve, në një numër iracional
Pasojat, nuk ia vlejnë të tregohen.

Dhe pasatj ato shkallët e lëvizshme automatike,
që të dorëzojnë si një pako postare të paprekur në një tjetër epokë,
pa e ditur se ç’ke brenda. Bile as ti vetë nuk e di.

Poezia gjithashtu ishte një mënyrë për t’u ngjitur,
joshje përmes mohimit, via negativa,
por dhoma në katin e dytë mbetet e lagësht, e ftohtë, e pabanuar akoma.

Por dikush tjetër zgjedh të identifikohet me një çjerrje gozhde
në shkallët prej druri, në rininë e hershme,
Ajo tregon shenjat hipotetike të tetanozit në bark
sikur po flet për djemtë që mund të ishin zënë për të.
Nuk e mora vesh kurrë se ç’kërkonte me orë vetëm në çati,
atyre mbrëmjeve kur edhe vesa qelbej ideologji,
por përfytyroj kërcitjen e trishtuar të shkallëve, zbritjen e saj solemne,
kadencën, si çdo lloj kadence, pa gozhdë, pa kthim.





Prerje Anatomike

E përpiktë është thika e Rexhepit, kasap prej tre brezash.
Me majën e saj të mprehtë, ai ndan me lehtësi mishin nga kocka,
kofshën nga shpatulla, zemrën nga brinjët,
një dite kosher dhe një tjetër “ka edhe më keq”,
sipas një prerjeje antomike.

Një kokë e papreferuar viçi, e varur në çengel,
vlen si garanci midis të gjallëve dhe  të vdekurve.
deri në mbrëmje.

Disa klientë nuk e dinë ç’është respekti: “Hiqja dhjamin!”,
në të njejtën mënyrë si mund t’i kërkosh dikujt
të fshijë mirë këpucët para se të hyjë brenda.
Dhe disa të tjerë,
janë thjesht të muhabetit . . .

Prej të atit ai mësoi si të presë pa firo.
Dhe të tjera sekrete të vogla të zanatit,
që merren por nuk thuhen,
psh, se si të përplasësh me forcë dhe shpejt mishin në peshore.
Mashtrime të vogla; vetëm 30 gramë. Pa gjeder.

Jeta e tij është e thjeshtë, e përbërë prej shpejtësie dhe thikash,
thikash që mprehen me kujdes çdo ditë nga e para.
Për t’ua bërë të lehtë qiejve pastaj,
rikompozimin e pjesëve  në Ditën e Gjykimit.

Por, kur kthehet në shtëpi me duart dhe status quo-në e tij të pastruara nga
               gjaku,
ai bën llogaritë për shkollën  që i biri gjithsesi nuk ka ndërmend ta përfundojë,
llogaritë për të blerë një shtëpi, ku era e mishit nuk ndjell korbat në ëndrra,
dhe para gjumit, afron me forcë këllqet e gruas pas vetes,
vetëm këllqet,
dhe shigjeta e peshores së tij tregon 30 gramë më tepër.

Sekrete të vogla të vetëmashtrimit që askush nuk t’i tregon,
madje as një baba që e njeh botën më mirë se gjithkush tjetër,
së brendshmi, për nga rropullitë.